Tuesday, November 5, 2013

Prapaskenat e Dukës me anglezët për Januzajn

Prapaskenat e Dukës me anglezët për Januzajn

 








Babai i talentit kosovar të Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, ka refuzuar kontaktet me Federatën Shqiptar të Futbollit (FSHF-në) që gjashtë muaj më parë, edhe pse negociator u bë vetë shefi ekzekutiv i “Djajve të Kuq”, David Gill.
Burime të sigurta kanë treguar për “Panorama Sport” prapaskenat në bisedën mes presidentit Armand Duka dhe zyrtarit të lartë anglez, gjatë një takimi në Tiranë më 1 maj.
Duke përfituar nga ky rast, mësohet se kreu i FSHF-së i ka kërkuar anglezit Gill të ndërhyjë në çështjen “Januzaj”, pasi ishte pikërisht njeriu i duhur për të lidhur kontaktet me futbollistin kosovar të Mançesterit.
Gill vizitoi kryeqytetin shqiptar për shkak të kandidimit të tij si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ndërkohë që ai është njëkohësisht edhe zv.president i Federatës së Futbollit të Anglisë. Kur palët janë takuar në Tiranë, anglezi mbante ende detyrën e shefit ekzekutiv të Manchesterit (tani nuk është më në këtë pozicion) dhe kjo ishte mënyra më e mirë që institucioni i futbollit shqiptar të krijonte shpejt kontakte me Januzajn përmes ndihmës së David Gill.
Biseda
Të njëjtat burime treguan se, menjëherë pasi Duka i ka kërkuar ndihmë anglezit, ky i fundit është treguar shumë i disponueshëm. Gill ka telefonuar direkt zyrtarët e klubit të tij për të lidhur kontaktet mes lojtarit 18-vjeçar dhe FSHF-së, në mënyrë që atij t’i bëhej një ftesë zyrtare për të qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë në të ardhmen.
Pasi Gill veproi shpejt, erdhi një përgjigje, e cila mësohet se ka habitur edhe vetë anglezin. “Babai i futbollistit nuk dëshiron të kontaktojë me ju”, i ka sqaruar Dukës shefi ekzekutiv i Manchester Unitedit.
Kjo përgjigje e Abedin Januzajt ka lënë të shtangur kreun e FSHF-së. Përpjekjet e Gill si zyrtar i lartë i Manchesterit shkuan dëm, pasi përfaqësuesi i futbollistit refuzoi të futej në bisedime me federatën shqiptare, pa dhënë ndonjë arsye konkrete.
Në fakt, në muajin maj, shefi ekzekutiv i Manchester Unitedit ishte i predispozuar që ta ndihmonte FSHF-në në çështjen “Januzaj”, pasi e vizitoi Shqipërinë për të lobuar rreth kandidimit të tij si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Duka mendohet se e ka mbështetur anglezin duke e votuar, mirëpo në këtë rast vullneti i Gill për të ndihmuar FSHF-në nuk mjaftoi. Mirëpo, në kushtet kur edhe kjo tentativë serioze me shefin e Manchesterit dështoi, për t’i bërë gjërat më zyrtare, FSHF nisi në drejtim të klubit të famshëm anglez edhe një kërkesë me shkrim për futbollistin. Gjithsesi, nga ajo kohë e deri tani gjërat kanë mbetur pezull.
Ja çfarë tha presidenti i FSHF-së për talentin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi pak ditë më parë se institucioni që drejton do të bëjë të pamundurën për të afruar Adnan Januzajn në Kombëtaren kuqezi.
“Ka pasur, ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen një strategji për Adnan Januzajn. Përtej debateve të ditëve të fundit, Januzaj është një talent që është ndjekur nga të gjithë pa përjashtim dhe natyrshëm nuk ka kuptim që t’i shpëtonte vëzhgimit të federatës. Ne po bëjmë punën tonë dhe tani mund t’ju them se po mendojmë që të ndjekim hapat e tjera për të folur me menaxherët e lojtarit, madje duke u paraqitur edhe me anë të një studioje ligjore”, pat theksuar Duka gjatë konferencës për shtyp ditën e rinovimit të kontratës me trajnerin De Biasi.

Tags: ,

0 Responses to “Prapaskenat e Dukës me anglezët për Januzajn”

Post a Comment

Subscribe

Beni Subscribe per te marr lajmet tona me te reja direkt ne e-mail(in) tuaj !!

© 2013 Football.AL. All rights reserved.
Designed by Andrea Zani